
botasot.info · Feb 26, 2026 · Collected from GDELT
Published: 20260226T181500Z
Për vetë pozitën që ka pasur Mirdita në rrjedhat e historisë dhe të kulturës kombëtare, ajo ka qenë gjithnjë objekt hulumtimi i shumë dijetarëve të huaj dhe vendas që prej mesit të shekullit XIX, si Hahn, Hecquard, Galandi, Durham, Nopcsa, Baldacci, De Grand, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja, etj. Por duhet thënë se një ndër objektet dhe fushat studimore më pak të prekura ose më pak të njohura ka qenë speleologjia, pra studimi i shpellave në Mirditë, të cilat në fakt janë të shumta dhe, për nga numri dhe pasuritë që ofrojnë, do t’i kishin zili edhe vende shumë më të zhvilluara e me potenciale më të mëdha në Europë. Në Mirditë kanë munguar hartografët, gjeografët dhe speleologët vendas që të merren mirëfilli me këtë fushë, por krejt ndryshe ndodh me studiues të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilët nuk kanë munguar t’i kenë si objekt studimi shpellat e shumta të Mirditës, thesaret e tyre të veçanta, ende të pazbuluara dhe të panjohura. Studime të tilla nisin herët me studiuesit e lartpërmendur dhe marrin një vrull të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur gjeologu i shquar, profesor Anatoli Agustjeviç Zvjeruga, me origjinë izraelite, i njohur si një ndër inxhinierët më të njohur të Uraleve dhe të Bashkimit Sovjetik, së bashku me inxhinieren e re Sonja Nikollajevna, marrin si objekt studimi “Shpellën e Mërkurthit” dhe atë të Valit. Kushdo që merr përsipër të flasë për speleologjinë nuk mund të neglizhojë dhe nuk mund të lërë pa përmendur emrin e Shtjefën Gjeçovit, i cili firmosi në zgavrat e shpellës së Gajtanit për të lënë aty, si monument dhe dëshmi, interesin e tij. Ky personalitet i kulturës kombëtare ka lënë dëshmi të rëndësishme edhe për shpellat e Mirditës. Nëse përmendim ekspedita speleologjike në Mirditë, ato janë të shumta, por nuk mund të lëmë pa përmendur atë të 11 qershorit të vitit 1963, kur në Mërkurth mbërriti një grup speleologësh bullgarë, të cilët zbritën në thellësitë e shpellës së Mërkurthit dhe asaj të Valit. Zbulime tepër të rëndësishme, të përfshira edhe në enciklopeditë europiane, u bënë nga prof. dr. Peter Beron (Sofje, Bullgari), në fushën e biospeleologjisë. Ai në këtë shpellë zbuloi specien Albanotrechus beroni. Ky zbulim shumë i rrallë është publikuar në buletinet më prestigjioze të Europës. Një grup i vogël studiuesish mirditas sot kanë në dorë studime të realizuara, të cilat, megjithëse jo të plota dhe shteruese, mbeten pak të njohura, pak të mbështetura dhe të botuara kryesisht në gjuhën shqipe, në mënyrë që t’u vlejnë studiuesve dhe dashamirësve të speleologjisë. Natyrisht, këtu nuk mund të lihet pa përmendur speleologu dhe paleontologu i njohur prof. dr. Anton Fistani, rektor i Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Nju Jork, i cili tronditi rrethet shkencore shqiptare me studimet e tij në shpellën e Gajtanit. Ky personalitet i shkencës shqiptare sjell dëshmi të munguara edhe për shpellën e Blinishtit. Sa i përket Blinishtit, ai më ka njoftuar disa herë se në një shkëmb në Blinisht të Mirditës ka disa “vizatime”. Shkëmbi në fjalë, i mbuluar me lëmyshk dhe likene, rezultoi vërtet se kishte disa incizime të moçme rupestre. Tema e incizimeve dominohet nga tri figura antropomorfe dhe figura gjeometrike me shenjën e kryqit dhe trekëndëshit, apo majës së heshtës. Tipologjikisht, forma e vizatimeve në Blinisht ngjan mjaft me incizimet paleolitike të Aurignacenit të hershëm francez, të zbuluara në L’Île-de-France (J. L. Baudet, 1950). Sipas një vlerësimi paraprak, incizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të paleolitit të sipërm dhe fillimeve të mezolitit të hershëm. Pa dyshim, ky dokument përbën një trashëgimi kulturore me vlerë të jashtëzakonshme për Mirditën dhe Shqipërinë. Incizimet rupestre dëshmojnë për fillesat e artit të trashëguar nga një kulturë primitive në këto treva të Blinishtit të Mirditës. Ato janë dokumente të lidhura me zhvillimin e praktikave religjioze të njerëzve parahistorikë dhe përbëjnë një trashëgimi kulturore të prekshme. Në këtë kuadër, duhet theksuar edhe një herë se Mirdita është një areal universal i një enciklopedie që sapo ka filluar të shfletohet dhe të studiohet seriozisht, ku rezultatet dhe informacionet do të jenë befasuese dhe tepër interesante. Shpellat e Mirditës, deri më sot, mund të thuhet se janë evidentuar vetëm si numër, por kurrsesi nuk mund të thuhet se janë studiuar plotësisht dhe se janë nxjerrë përfundime përfundimtare për to. Literaturë Johann Georg von Hahn (1854). Albanesische Studien. Jena. Edith Durham (1909). High Albania. London: Edward Arnold. Franz Nopcsa (1929). Albanien: Bauten, Trachten und Geräte Nordalbaniens. Berlin. Antonio Baldacci (1910). Itinerari albanesi. Roma. Shtjefën Gjeçovi (1933). Kanuni i Lekë Dukagjinit. Shkodër. Anatoli Agustjeviç Zvjeruga (1960). Studime gjeologjike dhe speleologjike në Shqipërinë Veriore. Moskë (arkiva shkencore). Peter Beron (1965–1975). Artikuj mbi biospeleologjinë e Shqipërisë Veriore. Bulletin of the Bulgarian Academy of Sciences, Sofje. Anton Fistani (1980–1995). Studime paleontologjike dhe speleologjike mbi shpellat e Shqipërisë Veriore. Tiranë / Nju Jork. J. L. Baudet (1950). Les gravures rupestres de l’Aurignacien ancien en Île-de-France. Paris. Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2002). Historia e Shqipërisë, vëllimi I. Tiranë. Qendra e Studimeve Albanologjike (2010). Arkeologjia Prehistorike e Shqipërisë. Tiranë.