
botasot.info · Feb 23, 2026 · Collected from GDELT
Published: 20260223T104500Z
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, njoftoi se Italia do të marrë pjesë në Bordin e Paqes të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, por si vend vëzhgues. Madje, u bëri thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Europian që edhe ato të mos e refuzojnë këtë Bord. Kosova është tashmë bashkëthemeluese e Bordit të Paqes dhe, për këtë arsye, duket se disa media ose edhe liderë europianë janë ftohur në marrëdhëniet me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani. Ndërsa Shqipëria, megjithëse thotë se është afruar në portat e BE-së, ka shpërfillur vendimin e Ursula von der Leyen për ta bojkotuar këtë bord. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë në mbështetje të iniciativës së Donald Trump. Von der Leyen thotë se Bordi i Paqes synon të delegjitimojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndaj dhe refuzon pjesëmarrjen. Në fakt, ajo bën pjesë në klubin e politikanëve dhe lidershipit globalist, ndërkohë që me Bordin e Paqes dhe të gjitha iniciativat e tjera të politikës amerikane promovohet nacionalizmi, respektimi i shteteve dhe identiteteve kombëtare. Pra, kundërshtimi i formulës së Donald Trump bazohet në orientimin e gabuar ideologjik të presidentes së Komisionit Europian, si dhe të disa liderëve të kontinentit tonë. Konferenca e Sigurisë e Mynihut, para disa ditësh, shfaqi – ashtu si edhe vitin e kaluar – diferencat e mëdha midis shumicës së europianëve dhe lidershipit amerikan sa i përket kursit nacionalist të shteteve në politikat e jashtme e të brendshme të tyre. Për arsye se kursi i politikave të Trump përfaqëson dhe mbështet nacionalizmin, identitetin kombëtar, respektimin e kufijve dhe të sovranitetit, është absolutisht zgjedhje e zgjuar për Kosovën që ajo ta mbështesë Bordin e Paqes të propozuar nga presidenti amerikan dhe të themeluar në Davos para pak javësh. Pa më të voglin dyshim, edhe Shqipëria duhet ta mbështesë këtë kurs të politikave zhvillimore, i cili vendos të parat interesat e atdheut, shtetit dhe kombit. Por në Shqipëri ka një problem shumë të madh. Deri më sot, ajo ishte eksperimenti i Sorosit për degradimin e shoqërisë, shpopullimin dhe integrimin pa kushte në qeverinë globale të parashikuar prej majtistëve perversë. Për hir të mbajtjes së pushtetit, ky kurs ndryshoi brenda natës dhe kryeministri i Shqipërisë, për një foto me Donald Trump, është i gatshëm për gjithçka në favor të ideve të tij. Pra, është ideja e pushtetit që e ndryshoi qëndrimin e kreut të ekzekutivit shqiptar. Ndryshe, nuk do të ishte përkrahës i Bordit të Paqes. Megjithatë, kjo kohë e të qenit as me Amerikën, as me Europën, është e rrezikshme. Nuk duron pelivanllëqe; përkundrazi, kërkon orientimin e saktë dhe të mençur të politikave tona kombëtare në shtetet ku qeverisin dhe jetojnë shqiptarët në Ballkan. Shihni se çfarë ndodh: Fronti Kombëtar i Francës rrezikon ta nxjerrë jashtë loje partinë e Emmanuel Macron dhe të fitojë zgjedhjet presidenciale në vitin 2027. Marine Le Pen u dërgua në gjyq, por shumëkush beson se ky gjyq ishte thjesht politikë për mbrojtjen e pushtetit të tij nga ana e Macron. Në Austri, e djathta e ashtuquajtur “ekstreme”, në zhargonin e përditshëm, është faktor i padiskutueshëm për vendin. Në Gjermani, liderja e AfD-së, Alice Weidel, ishte për vizitë në Itali dhe u prit në mënyrë të pazakontë nga kryeministrja Meloni. Të dyja këto gra të fuqishme, së bashku me Marine Le Pen, duket se do ta drejtojnë Europën e ardhshme. Kjo edhe për shkak se liderët aktualë janë shumë të dobët. Kancelari Merz nuk është i vendosur në kursin e tij politik dhe është në rënie. Presidenti Macron është komprometuar aq keq në aferat e tij me Jeffrey Epstein, sa nuk ka Zot ta shpëtojë. Pervers siç ka qenë dhe është, ai gjendet edhe në dokumentet e publikuara të Epstein. Kësisoj, presidenti i Francës e ka prerë biletën për në pension politik para se të mbahen zgjedhjet e vitit 2027. Po ashtu, Starmer është nën presion për dorëheqje dhe, sado ta shtyjë atë, nuk do të mund të rezistojë gjatë. Pas rënies së globalistëve në këto vende, nuk është e vështirë të ndodhin ndryshimet përkatëse në të gjitha vendet e Europës. Por askush nuk e di se cila do të jetë perspektiva. E sigurt është se do të rikthehen kufijtë, se BE-ja nuk do të ketë më funksione në çështjet e sigurisë dhe të politikës së jashtme dhe se funksionet e sigurisë mund t’i kalojnë vetëm NATO-s. E sigurt është, gjithashtu, se do të luftohet ashpër emigracioni dhe se qendra e emigrimit në Gjadër të Lezhës do të jetë bosh. Se mund të rikthehen monedhat shtetërore të para vitit 2002. Pra, gjithçka mund të ndryshojë. Në këto kushte, Kosova duhet të riorientohet. Duhet të ridimensionojë politikën e saj të jashtme, të ruajë aleatët e sotëm, duke ndërtuar politika të veçanta për bashkëpunim me partitë nacionaliste. Në fund të fundit, Kosova është një vend që karakterizohet nga ndjenja e thellë e nacionalizmit dhe nuk ka pse të trembet nga ndryshimet që po vijnë ose do të vijnë. Ndryshe është Shqipëria, vend në të cilin komunizmi dhe globalistët e kanë vrarë nacionalizmin.