
telegrafi.com · Mar 2, 2026 · Collected from GDELT
Published: 20260302T141500Z
Në Ballkan, sallata ruse është pjata e domosdoshme e festave; shfaqet në tryezë për Vitin e Ri dhe për çdo rast “të madh”, gjithmonë e ftohtë dhe përherë shija e njëjtë. Kjo sallatë ruse, apo stoliçni salad, u shpik dy shekuj më parë nga kuzhinieri francez Lucien Olivier në restorantin më të famshëm të Shën Petërburgut. Patate të ziera, bizele, karrota, kastraveca, majonezë; gjithçka e grirë imët dhe e përzier me durim, derisa përbërësit humbin konturet dhe bëhen një masë e vetme. Askush nuk dallon dot më se çfarë ishte patate apo karrotë; gjithçka shkrihet në një shije kolektive amorfe. Gjykata Speciale u krijua pikërisht kështu; me shumë përbërës, shumë duar një recetë ruse e gatuar në Strasburg të Francës dhe e servirur dhe gëlltitur në cepin tonë ballkanik. “Sallata ruse” nisi gatimin që në fazën embrionale të shtetësisë së Kosovës. Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, dorëzoi propozimin për rezolutë mbi “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve” të mbështetur ekskluzivisht në deklaratat e librit që Carla Del Ponte kishte botuar pak ditë më herët. Kjo tentativë e parë dështoi, por u rishfaq sërish si një përpjekje për të delegjitimuar e njollosur një tjetër arritje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila konfirmoi që shpallja e pavarësisë ishte e ligjshme. Në një moment konsolidimi juridik për shtetin e ri u rishfaq narrativa e trafikimit të organeve për ta zhvendosur debatin nga ligjshmëria te morali; nga e drejta ndërkombëtare te dosja penale. Për këtë u zgjodh një figurë nga një vend “neutral”, Dick Marty, i cili i kishe shërbyer me besnikëri interesave ruse në Këshillin e Evropës edhe më herët. Bëhet fjalë për raportit e vitit 2006 të Dick Martyt në Këshillin e Evropës të quajtur “Ndalime sekrete dhe transferime të paligjshme ndërmjet shteteve anëtare” i cili trajtonte burgjet sekrete dhe fluturimet e fshehta të CIA-s në Evropë gjatë luftës kundër terrorizmit. Më 12 dhjetor 2010, Dick Marty dorëzoi raportin e tij famëkeq mbi “trajtimin çnjerëzor dhe trafikimin e organeve” në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cili më 25 janar 2011 e vulos si Rezoluta 1782. Bazuar në këtë rezolutë dhe nën presion ndërkombëtar, u krijua Task Forca Hetimore Speciale (SITF), e udhëhequr nga BE, për të hetuar pretendimet e raportit Marty. Në vitin 2014, vetë Task Forca pranoi se nuk kishte prova për trafik organesh, por askush nuk e ndali procesin. Orteku tashmë ishte vënë në lëvizje. Përkundrazi, nga një akuzë e rrëzuar u ndërtua një gjykatë e re. Në vitin 2015, Kosova ndryshoi Kushtetutën dhe më 2016 u ngritën Dhomat e Specializuara. Sot, një dekadë më pas, shohim rezultatin brutal të recetës ruse, se si ajo që nisi si trill biologjik u shndërrua në arkitekturë juridike, dhe kjo arkitekturë po prodhon akuza të rënda kolektive ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë. Ajo që e bën këtë sallatë edhe më të hidhur dhe konfirmon dyshimet e origjinës nga Lindja, është fakti që Këshilli i Evropës, në kohën e rezolutës, drejtohej nga një person që dosjet Epstein, mediat dhe dezertorët e inteligjencës ruse në Perëndim e konsiderojnë bashkëpunëtor të KGB-së që nga vitet ’70 të shekullit XX, me nofkën “Juri”. Bëhet fjalë për Thorbjørn Jagland (ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës në vitet 2009-2019 dhe ish-kryeministër i Norvegjisë) ndaj të cilit tashmë kanë nisur dyshimet se ka shërbyer për dekada si një nga asetet më të rëndësishme të ndikimit rus në Evropë. Këto dyshime ekzistonin edhe më herët, sidomos gjatë fushatës së Jaglandit për rehabilitimin e Rusisë brenda institucioneve evropiane (duke i rikthyer të drejtën e votës pas aneksimit të Krimesë) si dhe gjatë presionit që ushtronte ndaj Azerbajxhanit, një vendi që luan rol kritik në sigurinë energjetike dhe strategjinë e diversifikimit të Evropës. Çështja e “trafikimeve të organeve” ishte në vetvete një letër bixhozi fshehur në mëngën e agjenturave ruse të cilat e kishin përdorur edhe më herët në Kaukaz këtë mjet të kriminalizimit ekstrem të kundërshtarëve. Për të justifikuar represaliet mizore të forcave qeveritare ruse në Çeçeni në fillim të viteve 2000, media pro-qeveritare ruse dhe disa zyrtarë sigurie akuzuan grupet separatiste çeçene për rrëmbime për shpërblim, trafikim qeniesh njerëzore dhe shitje organesh nga viktima të rrëmbimit ose luftës. E njëjta recetë e gatuar në Moskë u përdor edhe gjatë trazirave të armatosura me popullsinë muslimane të Dagestanit dhe Ingushetisë pak kohë më vonë, si taktikë për të dehumanizuar palën tjetër në sytë e opinionit vendas e ndërkombëtar. Madje kaq i suksesshëm ka qenë ky përbërës i menysë ruse të operacioneve speciale (që ndryshe në terminologji quhen masa aktive) sa pretendimi për trafik organesh u përdor edhe për konfliktin e brendshëm të Sirisë pas vitit 2015 ku media shtetërore ruse dhe zyrtarë të Moskës kanë akuzuar grupe opozitare siriane për trafik organesh nga civilë dhe refugjatë, në bashkëpunim me rrjete kriminale. E njëjta armë u përdor edhe për Ukrainën pas vitit 2022, ku Rusia ka akuzuar Ukrainën për trafik organesh nga ushtarë të vrarë nëpër “laboratorë biologjikë” me rrjete të mbështetura nga Perëndimi. Kuptohet që asnjë nga këto akuza nuk është verifikuar nga mekanizma ndërkombëtarë të pavarur.Akuza për trafik organesh u përzgjodh nga rusët sepse është veçanërisht efikase, sepse nuk synon që të të bindë, por që me të tronditë; nuk kërkon prova, por prodhon neveri. Ajo godet drejtpërdrejt instinktin njerëzor, duke e zhvendosur konfliktin nga politika te biologjia, nga historia te trupi. Ajo prek drejtpërdrejt një nga nervat më të ndjeshëm të botës perëndimore, mbrojtjen e trupit dhe të jetës njerëzore. Si e tillë e vendosi Bashkimin Evropian përballë një sprove morale të vështirë; ose reagon fort ndaj një krimi monstruoz të supozuar, ose rrezikon të akuzohet për indiferencë ndaj vuajtjes së skajshme njerëzore. Në momentin që një palë paraqitet si e aftë të copëtojë njerëz dhe të shesë organe, ajo palë shndërrohet në përbindësh moral. Dhe, përbindëshat nuk debatohen, ata përjashtohen automatikisht sepse akuza e këtyre përmasave ekstreme krijon reagim emocional të fortë dhe mbyll çdo debat racional. Kjo taktikë krijon një efekt juridik paraprak të dyfishtë, ku prezumimi i pafajësisë zbehet nga graviteti moral i vetë akuzës dhe, në të njëjtën kohë, akuzuesi përfiton njëfarë epërsie morale sepse paraqitet si mbrojtës i integritetit trupor dhe i jetës njerëzore. Në këtë mënyrë, akuza prodhon fajësi morale para se të ketë vendim të prerë gjykate, i jep agresorit të vërtetë një maskë si kinse “mbrojtës të jetës”, dhe e redukton një konflikt politik apo historik të ndërlikuar në një dosje penale mizore ku konteksti zhduket dhe mbetet vetëm etiketa e krimit. Mënyra se si ky proces është zhvilluar, me shkelje të rënda procedurale, me standarde të lëvizshme prove, me zvarritje të pajustifikueshme, standarde të dyfishta, me mungesë paanshmërie e profesionalizmi apo me tendenciozitet të paprecedentë të trajtimit, është një histori më vete, që meriton një dosje të plotë. Arrestime pa aktgjykim për vite me radhë, paraburgime të zgjatura që në çdo sistem normal do konsideroheshin dënim paraprak, akuza të bëra në gjykata të mëparshme që riciklohen me formulime të reja, dhe një ritëm procesi (që shpesh duket më shumë si instrument presioni sesa si kërkim i së vërtetës). Por, edhe përballë këtij abuzimi procedural flagrant të akumuluar, reagimi institucional shqiptar ka qenë pothuajse inekzistent. Në vend të një kundërofensive juridike, diplomatike, dhe komunikimi, kemi parë vetëm deklarata romantike gjysmë-vajtimi, solidaritet ceremonial dhe një pritje pasive sikur drejtësia tranzicionale të ishte proces natyror dhe jo arenë pushteti. Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite nga “gatimi” i kësaj recete, ne ende gjendemi të papërgatitur gati-gati të dorëzuar. Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, janë reduktuar në fraza patetike dhe foto-protokolle, jo në hapa konkretë shtetërorë. Prandaj, duhet ritheksuar se në sallat e ftohta drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, po luhet një akt që shkon përtej fateve individuale të krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përballë saj Kosova dhe Shqipëria mbetën të mbërthyera në një lloj letargjie romantike, duke besuar se "e drejta" është një forcë vetekzekutuese që shpaloset vetvetiu pa nevojitur mbështetje. Në literaturën e pasur të marrëdhënieve ndërkombëtare ekziston një konsensus i heshtur që drejtësia tranzicionale nuk është kurrë thjesht çështje juridike, por shumë më komplekse. Ajo është njëherazi edhe çështje politike, narrative dhe institucionale. Gjykatat gjykojnë individë, ndërsa shtetet luftojnë për kuptimin e historisë që do të ndikojë të ardhmen e tyre. Kosova nuk e ka kuptuar ende fatkeqësisht që procesi ndaj liderëve të UÇK-së nuk përfaqëson vetëm një procedurë penale, por është një nyje gordiane ku përplasen tre fusha nevralgjike gjeopolitike: ligji ndërkombëtar, diplomacia shtetërore dhe prodhimi i memories kolektive. Thënë ndryshe, problemi nuk është vetëm fakti se si na u servir sallata ruse e se si ajo po na dëmton dita ditës. Problemi akoma më kryesor është se po e kapërdijmë pa e përtypur e pa ndërtuar kundër-arkitekturë, pa krijuar institucione dhe pa prodhuar një narrativë tonën si shqiptarë. Për të realizuar këto qëllime, Kosova nuk kishte nevojë për të shpikur rrotën sepse modelet ekzistonin, nga fqinjët që ishin përballur më herët me sfidën e drejtësisë ndërkombëtare tranzicionale. Pas luftërave të viteve ’90 të shekullit të kaluar, Kroacia dhe Serbia e kuptuan shumë shpejt se drejtësia ndërkombëtare nuk është vetëm çështje gjykatash, por është çështje arkitekture shtetërore që kërkon angazhim serioz maksimal. Kroacia nuk ia la narrativën e “Luftës së Atdheut” në dorë politikës ditore apo avokatëve privatë, por e institucionalizoi si projekt shtetëror. Boshti i kësaj arkitek