
top-channel.tv · Feb 26, 2026 · Collected from GDELT
Published: 20260226T083000Z
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u diagnostikua me pneumoni të rëndë bilaterale. Ai u dërgua në klinikë të mërkurën vonë pasdite me probleme serioze në frymëmarrje dhe aktualisht ndodhet i intubuar, duke marrë frymë me ndihmën e aparaturave. Sipas njoftimit zyrtar të klinikës, pas ekzaminimeve mjekësore, Daçiç u diagnostikua me pneumoni të rëndë në të dy mushkëritë dhe u vendos menjëherë në ventilim mekanik. Gjendja e tij përshkruhet si veçanërisht serioze. Mjeku kujdestar, Spasoje Popeviç, theksoi se situata është kritike. “Ai ndodhet në ventilator dhe i janë administruar të gjitha ilaçet e nevojshme. Po përpiqemi të sigurojmë kohën e nevojshme që terapia të japë efekt. Po luftojmë për jetën e tij”, deklaroi ai. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vizitoi klinikën gjatë natës për t’u informuar nga afër mbi gjendjen shëndetësore të ministrit. Ivica Daçiç është një nga figurat më të njohura të politikës serbe, me një karrierë të gjatë dhe rol drejtues në Partinë Socialiste të Serbisë. Lajmi për shtrimin e tij në spital ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në skenën politike të vendit. Top Channel