
shqipmedia.com · Mar 2, 2026 · Collected from GDELT
Published: 20260302T061500Z
Energjia fotovoltaike po tërheq kapital me ritme të përshpejtuara, duke u kthyer në bosht të ri investimesh për bizneset tradicionale për aktorë të rinj që po diversifikojnë portofolin në këtë drejtim. Rritja e kapaciteteve të instaluara në centrale diellore, ku janë dhënë licenca për 980 MW, po shtyn transformimin e tregut energjetik drejt një strukture më të diversifikuar dhe më pak të varur nga hidroenergjia. Investimet private në sektor llogariten rreth 1.5 miliardë euro, duke përfshirë projekte diellore, eolike dhe hidroenergjetike. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i këtij segmenti po vë në provë infrastrukturën ekzistuese, duke kthyer vëmendjen drejt nevojës për më shumë investime për të përballuar këtë potencial që po zhvillohet. Pa investime paralele në rrjet, ritmi i rritjes së fotovoltaikëve rrezikon të tejkalojë aftësinë e sistemit për të përballuar këtë prodhim. Edhe këtë herë, në “maratonë” biznesi duket se është përpara institucioneve. Nertila Maho Në vitin 2017, kur Shqipëria miratoi për herë të parë kuadrin ligjor “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, pakkush mund të imagjinonte transformimin që do të pasonte thuajse një dekadë më vonë. Energjia diellore është shndërruar në një magnet për kapitalin, duke tërhequr jo vetëm sipërmarrje tradicionalisht të orientuara drejt sektorit energjetik, por edhe biznese nga industri të tjera që po diversifikojnë portofolin e tyre të investimeve. Fillimi për burimet e rinovueshme, dhe veçanërisht për energjinë diellore, ishte i ngadaltë dhe kompleks. Procedurat burokratike, mungesa e eksperiencës institucionale dhe një treg energjetik në reformim e mbajtën sektorin në ritme të kufizuara. Përshpejtimi real erdhi nga dy zhvillime kyçe. Së pari, liberalizimi i tregut energjetik krijoi hapësirë për vetëprodhuesit — një segment në rritje që ka të drejtë të instalojë kapacitete deri në 500 kWp. Së dyti, dhe me efektin më të thellë, ishte kriza globale e energjisë që nisi në tetor 2021. Kombinimi i rritjes së kostove të lëndëve të para në periudhën post-pandemike, kërkesës së përshpejtuar për energji, si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike dhe luftës në Ukrainë, që çoi në ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus, solli një goditje të paprecedentë në tregjet energjetike. Në vitin 2022, çmimet arritën nivele rekord. Shqipëria nuk ishte përjashtim: vendi shpenzoi afro gjysmë miliard euro për të plotësuar nevojat e importit, ndërsa në bursën hungareze, një pikë reference për rajonin, çmimi rekord i energjisë arriti 1,037 euro për MWh. Edhe pse çmimet më pas hynë në trajektore rënëse, paqëndrueshmëria mbeti e lartë dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe sot, megjithëse jo në të njëjtat nivele ekstreme. Pikërisht kjo klimë pasigurie u kthye në nxitësin kryesor të projekteve të reja energjetike. Investimet private në sektor llogariten rreth 1.5 miliardë euro, duke përfshirë projekte diellore, eolike dhe hidroenergjetike. Autoritetet raportojnë se gjatë viteve të fundit në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime. “Aktualisht operojnë mbi 700 MW kapacitete të reja fotovoltaike private, ndërsa rreth 400 MW kapacitete shtesë u përkasin vetëprodhuesve. Portofoli në zhvillim pritet t’i çojë kapacitetet totale në rreth 1,500 MW me teknologji fotovoltaike dhe eolike, ndërsa mbi 1,600 MW kapacitete depozituese janë në fazë studimi dhe në procese lehtësimi financiar”, do të nënvizonin përfaqësues të qeverisë në janar. Licencat e dhëna dhe kapacitetet në operim Pavarësisht numrit të madh të projekteve në faza të ndryshme të procesit administrativ, vetëm një pjesë e tyre kanë arritur të marrin licencë prodhimi. Enti Rregullator i Energjisë ka dhënë deri më sot 71 licenca për prodhim energjie nga impiante fotovoltaike, me kapacitet total të instaluar rreth 980 MW. Pjesa dërrmuese e projekteve të licencuara i përkasin kategorisë së impianteve deri në 2 MW, një segment që përfitoi disa vite më parë nga një kuadër i lehtësuar rregullator. Për këtë kategori, miratimi mund të realizohej përmes një procedure të përshpejtuar, ndërsa energjia e prodhuar përfiton nga mekanizma mbështetës, përfshirë çmime referencë të përcaktuara periodikisht nga rregullatori. Energjia blihet nga OSHEE Group në një skemë të ngjashme me atë të prodhuesve me përparësi në hidroenergji. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre subjekteve operojnë si prodhues të pavarur në tregun e lirë. Liberalizimi i furnizimit me energji ka shtyrë mijëra biznese të sigurojnë energjinë përmes kontratave me furnizues privatë, duke krijuar një bazë të qëndrueshme kërkese për prodhuesit e rinj. Projektet fotovoltaike kanë edhe një avantazh, pasi përfitojnë nga fleksibiliteti teknik, pra mund të hyjnë në operim në faza, duke prodhuar energji edhe para përfundimit të plotë të investimit. Kjo panoramë, e karakterizuar nga kërkesa në rritje dhe hyrje të vazhdueshme kapacitetesh të reja, pritet të ndryshojë në mënyrë të ndjeshme strukturën e prodhimit të energjisë në vend në afatmesëm. Projektet e mëdha dhe rritja e peshës së fotovoltaikëve Prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaike ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Edhe pse të dhënat përfundimtare vjetore nuk janë publikuar ende, treguesit paraprakë sinjalizojnë ecuri pozitive. Sipas publikimit të INSTAT në Bilancin e Energjisë për periudhën janar–shtator, grupi “Të tjerë prodhues”, ku përfshihen impiantet fotovoltaike, prodhoi 775 GWh, me dyfishim nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Edhe në krahasim me gjithë vitin 2024, kur u prodhua gjithsej nga 506 GWh, vetëm për 9 mujorin 2025, prodhimi ishte 53% më i lartë. Burimi: INSTAT Energjia fotovoltaike përbën rreth 15.3% të prodhimit neto të energjisë në vend për të njëjtën periudhë, më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2024. Pritshmëria është që kjo peshë të vazhdojë të rritet progresivisht, ndërsa numri i centraleve që hyjnë në operim mbetet në rritje të vazhdueshme. Ndër projektet më të mëdha në prodhim është parku diellor i Karavastasë, i zhvilluar nga Voltalia, me kapacitet 140 MW. Në operim janë gjithashtu projektet Blue, me kapacitet të kombinuar 130 MW, Nova Solar System me 50 MW, si dhe impiante në Ersekë, me kapacitet 20 MW secili. Në faza të ndryshme zhvillimi janë projekte si GreeNNat Solar Park Ballsh me 100 MW, Faethon me 78.6 MW, Sunny Side Energy me 50 MW i grupit Kastrati dhe Spitalla Solar me 100 MW, po në pronësi të Voltalia. Rritja e shpejtë e kapaciteteve fotovoltaike po riformaton gradualisht tregun energjetik të Shqipërisë. Sektori po kalon nga një strukturë, ku historikisht ka mbizotëruar nga hidroenergjia, drejt një modeli më të diversifikuar, me varësi më të ulët nga importet dhe me ekspozim më të kufizuar ndaj luhatjeve ekstreme të tregjeve ndërkombëtare të energjisë. Burimi: INSTAT BERZH: Shqipëria ka potencial të lartë, por sfidë akomodimi i kapaciteteve Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga institucionet që ka nxitur që në fillim të herës orientimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë duke u bërë një nga bashkëpunëtorët kryesorë në ankandet e para të fotovoltaikëve për qeverinë. Në atë kohë, me ndihmën e BERZH, qeveria do të konsultohej për termat dhe hapat që duhet të hidheshin për garën e Karavastasë që ishte edhe impianti i parë me shkallë të lartë në vend. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, tha për “Monitor” më herët se potenciali i energjisë së rinovueshme mbetet i konsiderueshëm në vend. “Shqipëria ka një potencial shumë të mirë për zhvillimin e energjisë diellore, falë pozicionit të favorshëm gjeografik dhe nivelit të lartë të rrezatimit diellor, faktorë që vijojnë të tërheqin interes të fortë dhe në rritje nga investitorët. BERZH ka qenë një partner zhvillimi afatgjatë i Shqipërisë në sektorin e energjisë dhe ka luajtur një rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, si përmes asistencës në politika, ashtu edhe përmes investimeve të synuara” tha znj. Solovova. Por përtej këtij potenciali duket se ajo që do të përbërë sfidë është akomodimi i këtij potenciali me infrastrukturën e nevojshme të transmetimit. Pikërisht në këtë drejtim duket se do të angazhohet edhe qasja e BERZH në vazhdim. “Megjithëse potenciali është i konsiderueshëm, integrimi në shkallë të gjerë i burimeve të rinovueshme kërkon infrastrukturë të përshtatshme. Pavarësisht përparimit të dukshëm të viteve të fundit, kapaciteti i rrjetit dhe fleksibiliteti i sistemit mbeten sfida kryesore. Për këtë arsye, qasja jonë kombinon financimin e projekteve të prodhimit nga burimet e rinovueshme me investime në infrastrukturën kritike mbështetëse, përfshirë mbështetjen për operatorët kombëtarë të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë. Një shembull konkret është paketa e financimit të lidhur me qëndrueshmërinë që BERZH i ka ofruar këtë vit OSHEE-së. Duke ristrukturuar detyrimet afatshkurtra në financim më të qëndrueshëm afatgjatë, kjo paketë ndihmoi në çlirimin e investimeve për përmirësime thelbësore të rrjetit të shpërndarjes, duke rritur qëndrueshmërinë e sistemit dhe duke lehtësuar integrimin e niveleve më të larta të energjisë së rinovueshme. Paralelisht, kemi punuar ngushtë me operatorin e sistemit të transmetimit, OST, përmes dy projekteve të bashkëpunimit teknik të financuara me grante të Bashkimit Europian: (i) projekti i parë synon mbylljen e unazës së rrjetit kombëtar të transmetimit dhe modernizimin e nënstacionit të Fierit, aktualisht një nga zonat më të mbingarkuara për energjinë fotovoltaike në vend; dhe (ii) projekti i dytë mbështet zhvillimin e një linje të re ndërkufitare transmetimi me Kosovën, duke forcuar lidhjet rajonale dhe duke rritur fleksibilitetin për flukset e energjisë së rinovueshme. Përtej investimeve në infrastrukturën fizike, ne vijojmë të mbështesim zhvillimin e kuadrit politik dhe të tregut që mundëson këtë tranzicion. Përmes nismave si Programi për Përshpejtimin e Tregut të Energjisë së Rinovueshme (REMA), Banka ka ndihmuar tashmë autoritetet në dhënien e rreth 800 MW kapacitet të ri nga burimet e r